Një ekip i Universitetit të Utah, i drejtuar nga bioinxhenieri Bradley Greger, ka perfeksionuar një sistem, që i lejon pacientët që nuk mund të flasin (p.sh, kush është goditur nga ndonjë iktus apo që vuan nga e ashtuquajtura lock-in syndrome) që të komunikojnë me të tjerët.

Shkencëtarët arritën në këtë zbulim falë një eksperimenti me një pacient epileptik të cilit i ishin vendosur dy breza me mikroelektroda në zonën e trurit që i korrespondon të folurit, i pari në zonën që kontrollon lëvizjet faciale (mimikën) dhe i dyti në zonën e Wernicke (pak sipër veshit të majtë, që vepron si tip përkthyesi për trurin).
Fillimisht, pacientit i kërkohej që të lexonte çdonjërën prej fjalëve që mund t’i jenë të nevojshme një personi të paralizuar si “po”, “jo”, “ngrohtë”, “ftohtë”, “uri”, “etje”, “më shumë”, “më pak”, “mirupafshim”, duke regjistruar sinjalet cerebrale që arrinin nga mikroelektrodat. Më pas, iu kërkua pacientit që të përsëriste të njëjtat fjalë me zë të lartë përballë kompjuterit dhe u pa që kompjuteri ishte në gjendje që të çiftëzonte këto fjalë me sinjalin e arritur nëpërmjet mikroelektrodave kur pacienti i lexonte pa zë të njëjtat fjalë (dhe këtë me një saktësi nga 76 deri në 90%) pa përdorur asnjë software nga ata që përdoren deri më sot për identifikimin dhe njohjen e zërit.

Me pak fjalë, vetëm të menduarit e një fjale (pa e thënë) prodhon të njëjtin sinjal cerebral.
Sipas profesor Greger, ky rezultat mund të premtojë që në pak kohë (2-3 vjet), të arrihet në një sistem “përkthimi”, që shndërron automatikisht sinjalin cerebral të ardhur nga truri në sinjal vokal, pra, që të krijojë mundësinë që të dëgjojmë atë çfarë mendon pacienti.

– «Mund të themi se jemi pranë leximit të mendimit» – ka shpjeguar bioinxhinieri tek “Journal Neural Engineering” (http://iopscience.iop.org/1741-2552/) që ka publikuar rezultatet e studimit.
«Natyrisht që jemi akoma në fazat e para dhe kemi nevojë për më tepër fjalë dhe për më tepër preçizion për të pranuar vlerat e përkthyesit që përdorim tani, por një aparat i tillë wireles për pacientët që nuk mund të flasin, edhe pse vetëm me 30-40 fjalë, do t’iu përmirësonte ndjeshëm nivelin e jetesës dhe komunikimit të tyre. Kjo s’do të thotë që me këtë e kemi zgjidhur problemin, por thjesht, që kjo metodë funksionon».

Të kuptosh mendjen e njeriut, fillohet pikërisht nga leximi i mendimeve.

0 commenti:

 
Top
Blogger Template